“Krijimtaria më është dukur gjithmonë një rrugëtim i mundimshëm drejt konfirmimit të vetvetes si përballje me mosekzistencën.

– Aleksandër Filipi

Vjen një moment dhe sheh se ke arritur në një periudhë të jetës kur duhet të kthesh kokën pas dhe të bësh një bilanc të krijimtarisë tënde. Eshtë ky fakt që më shtyu të realizoj këtë album me një përmbledhje të veprave të mia. Natyrisht që ishte e pamundur t’i gjeja të gjitha tablotë që kam realizuar gjatë jetës time, por sidoqoftë shpresoj se çfarë është vendosur në këtë libër është e mjaftueshme për të dhënë një pamje sa më të plotë të krijimtarisë sime, të realizuar në periudha të ndryshme të jetës.

Periudha e para 1990 – s, pasqyrohet në këtë përmbledhje vetëm me 3 vepra. Krijimtaria e kësaj kohe nuk dihet se si dhe ku ka përfunduar. Një pjesë te madhe te veprave të krijuara pas viteve ’90, e pata më të lehtë t’i gjeja, sepse disa i kisha të fotografuara dhe disa munda t’i gjeja nëpër koleksionistë si dhe të porositura nga artdashës.

Shumica e veprave janë të koleksionit privat të familjes sime, të krijuara për ekspozitat vjetore të organizuara nga grupimi “NËNTORI”. Pjesëmarrja në këtë grupim piktorësh, bëri të mundur realizimin e një numri jo të vogël tablosh ku besoj se prezantohet në mënyrë më të plotë karakteri dhe individualiteti im krijues. Këto vepra u realizuan me pretendimin për të pasur një frymë bashkëkohore në kuptimin e gjuhës dhe të mjeteve shprehëse, duke ruajtur ato elementë të formimit tim intelektual, mjeshtëror e ndjesor, që përveç ngjarjeve të kohës dhe fenomeneve si subjekte të veprave, të kishin ato veçori stilistike që i bënë të dallueshme si vepra të miat.

U përpoqa t’i realizoj këto tablo duke kërkuar në brendësi të vetes sime imazhe që krijohen nga përjetimi i ngjarjeve të ndryshme të cilat kanë qenë të shumta dhe frymëzuese, por shpesh dhe shokuese, gjatë kësaj periudhe tranzicioni. Probleme të karakterit njerëzor u shfaqën bruto, ashtu si njerëzit janë në të vërtetë, me të mirat dhe të këqiat e tyre. Subjektet e veprave janë skena të ndryshme nga jeta, por në disa raste shfaqen si imazhe të krijuara, duke figuratizuar fenomene psikosociale si dhe përpjekjen e njeriut për të mbijetuar ose përballuar vështirësitë, për të arritur suksesin.

Në album janë vendosur dhe disa vepra me karakter historik ku pasqyrohen momente të rëndësishme të historisë sonë. Ka qenë gjithmonë një dëshirë e imja për të pasur në krijimtarinë time edhe tablo të frymëzuara nga këto ngjarje.
Vepra të tjera në gjini të ndryshme i kam vendosur në këtë libër për të dhënë një pamje sa më të plotë të punës sime në përpjekjen e përditëshme për të eksperimentuar dhe pasuruar veten me ndjesi dhe mundësi të reja shprehëse.

Biografia e artistit

1967 – 1971

Kreu studimet e mesme për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë në klasën e piktorëve Kleanthi Nase, Naxhi Bakalli dhe Hasan Çapari. Mbrojti diplomën me tablonë me titull:”Vallja e dritave”.

1971 – 1975

Kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, në atelienë e piktorëve Bashkim Ahmeti, Niko Progri,Bashkim Dervishi, Vilson Kilica, Danish Jukniu dhe Edi Hila. Ishte si student sëbashku me artistët tashmë të njohur: Agim Nebiu, Liliana Prifti (Droboniku), Gjergj Simoni, Zamira Xhafa, Koço Beruka,Stavro Cati, Qazim Kërtusha, Zana Erzeni, Besnik Erebara, Niko Thana etj. Diplomohet si student i shkëlqyer. Mbrojti diplomën me tablonë me titull: ”Greva e bukës në Korçë” (1936).

1975 – 1976

Instituti i Lartë i Arteve, me kërkesën e pedagogut të tij Danish Jukniu e emëron asistent pedagog në Fakultetin e Arteve Figurative.

1976 – 1981

Emërohet piktor dizajni në Byronë e Projektimit Kombinatin e Tekstileve në qytetin e Beratit.

1979 – 1981

Anëtar i grupit të pesë piktorëve – autorë të ideimit dhe realizimit të mozaikut me titull: ”Shqipëria” (440 m2) që u vendos në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë

1981 – 1985

Emërohet Piktor Restaurator në Degën e Monumenteve të Kulturës, Berat, të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë.

1985 – 1989

Inspektor i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv, Berat.

1989 – 1997

 Pedagog i pikturës në shkollën e mesme artistike “Ajet Xhindole”, Berat

1997 – 2000

Emigroi dhe jetoi familjarisht në Venezuelë. Realizoi disa vepra të rëndësishme arti në Venezuelë, në aeroportin La Chinita (qyteti i Marakaibos), ku fitoi Konkursin dhe realizoi afreskun 25 m2 (10 x 2.5 m), me titull “Vision mbi Marakaibo” (1998). Mori pjesë në dy ekspozita kolektive në qytetin e Marakaibos.

2000

Kthehet përsëri në Shqipëri dhe vendoset familjarisht në Tiranë dhe punoi si piktor në profesion të lirë.

2009 – 2010

Pedagog në Universitetin Amerikan të Tiranës dhe shef i katedrës së arteve pamore.

2017

Del në pension, por vazhdon krijimtarinë artistike në studion e tij personale.